E përditësuar|e Enjte, Korrik 31, 2014

Thimi Nika: Diaspora, imazhi më i mirë i Shqipërisë 

Thimi NikaElona MUZHAQI
Intervistë me Thimi Nikën, specialist në “Institutin Kombëtar të Diasporës” në “Ministrinë e Punëve të Jashtme” të Shqipërisë.
Teksa për pak ditë pritet të finalizohet projekti i ngritjes së Komitetit Kombëtar të Diasporës, drejtuesit aktual të Institutit, vijojnë punën e tyre. Pas viteve “90” mijëra shqiptarë janë dyndur në shtete të ndryshme të Evropës në kërkim të një vendi pune dhe në kërkim të një jete më të mirë. Sipas statistikave rreth 30% e popullsisë aktive shqiptare jeton në emigracion. Vetvetiu nga kjo shifër ka lindur edhe nevoja për një institucion që merret drejtpërsëdrejti me çdo nevojë të tyren, dhe me kanalizimin e kërkesave që emigrantët në diasporë kanë. “Instituti Kombëtar i Diasporës” luan aktualisht një rol tepër të rëndësishëm kundrejt diasporës, në mbrojtjen e tyre dhe krijimin e politikave mbrojtëse. Thimi Nika specialist në “Institutin Kombëtar të Diasporës” në një intervistë për gazetën “Kombëtare” flet për gjithçka që ky institut bën aktualisht dhe synimet për vitet në vazhdim, duke u fokusuar gjithmonë në mirëqënien e atdhetarëve tanë kudo që jetojnë apo punojnë.

Zoti Nika, ju punoni prej shumë kohësh në “Institutin Kombëtar të Diasporës” në “Ministrinë e Punëve të Jashtme”. Cili është roli i tij në atë që quhet “Diplomaci e imazhit”?                                                     

Para se t’i përgjigjem pyetjes, më lejoni t’ju falenderoj për kënaqësinë që po me jepni për të komunikuar drejtpërdrejtë me lexuesit tuaj. Njëherësh, meqënëse “Kombëtare” është një gazetë e re, dhe unë si gazetar me një përvojë shumë të gjatë, e ndiej për detyrë të uroj me zemër: “Pastë jetë sa më të gjatë dhe bëftë emër sa më të mirë”.

Tani të vijmë te përgjigja për pyetjen tuaj. Disa vite më parë “Ministria e Punëve të Jashtme” e Shqipërisë ka pasur një Drejtori të Diasporës, e cila ka luajtur rolin  e saj të rëndësishëm si pjesë përbërëse e strukturës së këtij institucioni prestigjoz të shtetit shqiptar. Duke filluar nga viti 1996 kjo drejtori ia la vendin “Institutit Kombëtar të Diasporës”, që u krijua me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, fillimisht në vartësi të tij, dhe, më pas, në përbërje të “Ministrisë së Punëve të Jashtme”.  Ngritja e rangut nuk kishte të bënte thjesht me ndryshimin e emrit, por, para së gjithash, me përmbajtjen e punës. Ky institut është një institucion i mirëfilltë i shtetit shqiptar që merret drejtpërdrejt me diasporën shqiptare dhe, si i tillë, është bërë një pikë e rëndësishme kontakti e referimi për mbarë diasporën tonë, kudo ku ajo jeton e punon.

Duke patur parasysh drejtimet kryesore të “Institutit Kombëtar të Diasporës”, çfarë është bërë konkretisht deri tani ?

Drejtimet kryesore të punës së institutit tonë janë ravijëzuar në një varg dokumentesh shtetërorë, që përbëjnë edhe bazën juridike të tij. Deri tani, p.sh., është bërë jo pak punë, për hartimin e Atlasit të Shpërndarjes Gjeografike dhe Demografike të diasporës sonë. Me të synohet grumbullimi dhe skedimi i të gjitha të dhënave, deri regjistrimi i bashkëkombasve tanë, kudo në botë. Sigurisht kjo është një ndërmarrje e madhe, që kërkon një punë tejet voluminoze, pasi jemi në një terren që mbetet i virgjër dhe të dhënat jo rrallë janë hipotetike. “Instituti Kombëtar i Diasporës” është i vetëdijshëm për vështirësitë, por edhe i bindur se vetëm në këtë mënyrë shteti shqiptar do të dijë ku i ka bashkëkombasit, ç’ka do t’ia mundësonte së tepërmi zbatimin e një strategjie të përbashkët e të obligueshme mbarëkombëtare.

A mund të na e konkretizoni pak më shumë këtë ide? Dhe më tej: ç’vend zë në planet tuaja roli i diasporës shqiptare në aspektin ekonomik?

Siç dihet, vetëm në këto 22 vitet e fundit, rreth 25 % e popullsisë totale, ose pak më shumë se 30 % e popullsisë aktive, është larguar nga Shqipëria. Këto shifra e kanë bërë vendin tonë  “rast unikal”, madje e kanë klasifikuar atë në grupin e vendeve me rrjedhën më të lartë emigruese jo vetëm në Evropë, por ndoshta edhe në botë. Përmasa të tilla të fluksit emigrator, qysh në fillim, shtruan nevojën e një angazhimi serioz e të përgjegjshëm të krejt institucioneve shtetërore, veçmas të “Ministrisë së Punëve të Jashtme”, pra dhe të “Institutit Kombëtar të Diasporës”, që funksionon në përbërje të saj, për t’iu përgjigjur sa më mirë profesionalisht dhe në kohë kësaj dukurie. Me shumë të drejtë vihet në dukje se “emigrantët shqiptarë përbëjnë një burim të rëndësishëm kapitali njerëzor, financiar e social për zhvillimin e Shqipërisë”. Në këtë kuadër “Instituti Kombëtar i Diasporës”, në zbatim të programit të Qeverisë dhe të detyrave afatgjata të tij dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera shtetërore dhe përfaqësitë tona diplomatike e konsullore, ka luajtur rolin që i takon për nxitjen e nismave dhe kanalizimin e burimeve financiare dhe të energjive njerëzore drejt ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, si dhe për institucionalizimin e lidhjeve midis diasporës dhe zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Instituti ynë, për tu vënë si duhet në rolin e interlokutorit dhe negociatorit sensibilizues për institucionalizimin e mirëkuptimit dhe bashkërendimit të punëve midis diasporës dhe shtetit shqiptar edhe në fushën ekonomike, detyrë e ngarkuar edhe në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Migracionit, ka zhvilluar disa takime me biznesmenë shqiptarë në Greqi, Itali, Britaninë e Madhe, SHBA, Belgjikë etj., ku, në bashkëpunim me zyrën në Tiranë të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) janë zhvilluar konferenca të suksesshme me këtë temë. Gjithçka është bërë me synimin për një shfrytëzim dhe harmonizim sa më frytdhënës të energjive dhe potencialit ekonomik që zotëron diaspora e re në këto vende, për një kombinim dhe ndërthurrje sa më të mirë të interesave të saj dhe të shtetit shqiptar. Gjithashtu në këto 22 vitet e fundit, në Shqipëri kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm dërgesat në para të emigrantëve, ose siç quhen ndryshe remitancat. Në raport me to “Instituti Kombëtar i Diasporës” ka hartuar e realizuar objektivat e veta. Dhe konkretisht: u ka sugjeruar organeve eprore përkatëse hartimin e politikave konkrete në funksion të fazave që ka kaluar “maturimi i ciklit të migracionit” dhe të pasojave të vërejtura si rrjedhojë e krizës ekonomike globale; ka organizuar, në bashkëpunim me përfaqësitë tona diplomatike e konsullore, promovimin dhe nxitjen e nismave për dërgesat në para, duke vënë theksin në mënyrën se ku duhet të drejtohen ato për të qënë më dobiprurëse si për familjarët e emigrantëve dhe për  interesin e komuniteteve më të gjera. Natyrisht ne ndiejmë se mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim, veçanërisht në fushën e organizimit të diasporës, pasi jo kudo është në nivelin që kërkohet, herë herë mungon komunikimi brenda grupeve të interesit në diasporë dhe i tyre me institucionet e vendit të origjinës

Po për integrimin kulturor të diasporës shqiptare çfarë është bërë dhe ç’mendon të bëj në të ardhmen instituti juaj? Konkretisht me shkollat shqipe çfarë është bërë?

Edhe integrimi kulturor i diasporës sonë, të vjeter e të re, ka qënë dhe mbetet detyrë parësore e jona. Ne jemi përpjekur të gjejmë forma pune sa më të larmishme për t’iu përgjigjur sa më mirë kushteve të reja të krijuara, duke respektuar në çdo rast legjislacionin e vendeve pritëse. Qëllimi është mbajtja gjallë e gjuhës shqipe, ruajtja dhe kultivimi i traditave më të spikatura kombëtare, pra i gjithçkaje që ka të bëjë  me vetëdijen dhe përkatësinë tonë kombetare. “Instituti Kombëtar i Diasporës” ka rritur angazhimin për t’i lehtësuar komunitetet shqiptare në vendet pritëse në procesin e globalizimit, për t’u integruar sa më mirë e denjësisht në tregun ndërkombëtar të punës. Këto procese integruese, të realizuara sipas standarteve më të përparuara të BE-së, nënkuptojnë, krahas integrimit ekonomik, edhe një punë tonën më aktive për integrimin social e kulturor të emigrantëve, duke e gërshetuar këtë me ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Sigurisht fjalën e kam që po i kushtohet kujdesi i duhur problemeve të tilla si: mësimi plotësues në gjuhën amtare, që fëmijëve shqiptarë të mos u nxirren pengesa në këtë drejtim dhe të mos u mungojnë librat; të bashkëpunohet më ngushtë me shoqatat dhe drejtuesit e tyre që të promovohen rregullisht emigrantët e suksesshëm. Bazuar në Strategjinë Kombëtare për Migracionin dhe në Planin e Veprimit në zbatim të saj, për të cilat gjykoj se kanë qënë me efekt të padiskutueshëm dhe se duhet e do të vijojnë edhe në të ardhmen, “Instituti Kombëtar i Diasporës” ka përcaktuar vitin në vazhdim dhe atë 2013 këto detyra: përditësimin e databejzeve për shoqatat shqiptare, për figurat e shquara, për mediat e shkruara dhe elektronike në gjuhën shqipe që funksionojnë në diasporë; thellimi i rezultateve të deritanishme për ruajtjen dhe integrimin e pasurive artistike dhe kulturore të diasporës në kulturën shqiptare, nëpërmjet një bashkëpunimi edhe më efektiv me institucione të tilla si “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, “Muzeu Historik Kombëtar”, “Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit”, “Akademia e Shkencave” etj.;  nxitja dhe përkrahja e një organizimi më të mirë të diasporës së vjetër dhe të re në shoqata, klube e organizime të tjera, duke vënë në themel të tyre identitetin kombëtar, ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës, forcimin e lidhjeve me atdheun dhe ndihmën e ndërsjelltë.

-Së fundmi, në vazhdimësi të punës suaj, çfarë mbetet për t’u bërë më tej?

Ndër objektivat tona të sotme dhe të një perspektive të afërt janë gjithashtu: ngritja dhe funksionimi i Qendrave të Kulturës Shqiptare në Athinë, Romë, Londër, Bruksel, Uashington dhe Toronto;  zhvillimi me sukses i një vargu veprimtarish si: botimi i një Enciklopedie  për historinë e diasporës shqiptare dhe për figurat më kryesore e përfaqësuese të saj ndër vite; nxitja dhe ndjekja e veprimtarisë së përfaqësive tona për afrimin dhe organizimin e studentëve shqiptarë jashtë vendit (sigurisht në bashkëpunim me “Ministrinë e Arsimit”), duke i konsideruar ata si një potencial kulturor jo vetëm për të ardhmen, por edhe aktualisht, për të mbështetur përpjekjet për përçimin e imazhit të një Shqipërie të kulturuar dhe të emancipuar; ndjekja në vazhdimësi e ecurisë së mësimit plotësues në gjuhën shqipe, sidomos në vendet me komunitetet shqiptare më të mëdha si Greqia, Italia, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, thellimi i institucionalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me “Ministrinë e Diasporës të Kosovës” etj.

Nuk gjenden etiketa per kete lajm