E përditësuar|e Mërkurë, Shtator 17, 2014

Rezoluta dhe promovimi i vlerave kulturore çame 

rezolutaNga Florian Tahiri

Në përgjithësi analistët dhe mediet janë ndalur më shumë tek pikat e Rezolutës që shprehin shfuqizimin e Ligjit të Luftës dhe të drejtat themelore të njeriut që shtetasve shqiptarë nga krahina e Çamërise iu janë mohuar. Por është e rëndësishme që të nxirret në pah edhe një pikë tjetër e Rezolutës Çame e cila ka qenë pak e komentuar dhe cituar nga mediet dhe publiku.

Bëhet fjalë pikërisht për pikën 10 të Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame e cila thotë që ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat dhe objektet kulturore çame që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo pikë është shumë e rëndësishme për vetë faktin që një pjesë e mirë e historisë së Shqipërisë ndodhet në ato treva, prandaj dhe shteti shqiptar duhet të përkushtohet për mirëmbajtjen e objekteve historike dhe kulturore që ndodhen në Çamëri. Krahina e Çamërisë, tashmë brenda territorit të Republikës së Greqisë, është zona më pak e zhvilluar e shtetit grek, ku investimet dhe projektet madhore mungojnë prej kohësh. Pikërisht ky plan për moskujdesje ndaj trevave të Çamërisë duhet të “zgjojë” shtetin shqiptar, i cili mund të sponsorizojë vetë për mirëmbajtjen dhe promovimin e objekteve kulturore që ndodhen përtej kufijve të tij.

Historia e kombit shqiptar kalon në këto treva nëpërmjet gjurmëve të pellazgëve, Mbretërisë së Epirit me në krye Pirron e Epirit, Perandorisë Romake e më pas asaj Bizantine, Mbretërisë së Venedikut, Perandorisë Osmane dhe qeverisë së Ali Pashë Tepelenës. Për këtë arsye lind nevoja që Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të mari hapa konkrete për mbrojtjen e objekteve që vërtetojnë historinë dhe kulturën shqiptare. Në çdo qytet të krahinës së Çamërisë gjenden objekte publike të periudhave të ndryshme historike si kala, ura, çezma, medrese, fabrika mielli, fabrika vaji dhe fabrika për përpunimin e lëkurëve.

Gjithashtu ndodhen një larmi objektesh fetare si xhami, kisha dhe teqe që vërtetojne më së miri harmoninë fetare që i karakterizonte këto treva. Ndër objektet kulturore dhe historike më të rëndësishme që ndodhen në Çamëri mund të përmendet amfiteatri i Gjitanit në rrethin e Filatit i cili është sot i përmbytur, Xhamia Mbret në Paramithi e cila është ndërtuar në vitin 1492 dhe është një nga objektet fetare më të vjetra të kombit shqiptar. Tempulli i Dodonës që ishte edhe orakulli më i vjetër është ndërtuar në mijëvjeçarin e dytë p.e.r, ndërsa amfiteatri i Dodonës me një kapacitet prej 18.000 vendesh është një objekt me vlera të pakrahasueshme për historinë tonë dhe që ngjason për nga kapaciteti me amfitetarin e Durrësit. Qyteti antik i Nikopolit në Prevezë, u themelua nga Oktavian Augusti në vitin 31 p.K dhe ka qenë kryeqytet i Epirit deri në vitin 1204. Në qendër të Paramithisë ndodhen rrënojat e qytetit të vjetër antik Uria dhe po në këtë qytet, nën kështjellën e Ajdonatit, ndodhet Kulla e lartë e Bollatëve. Ura mesjetare e Artës është një objekt me vlera të spikatura arkitektonike dhe ngjason për nga forma me Urën e Mesit në Shkodër.

Në të gjitha qendrat kryesore të banimit gjenden gjurmët e kështjellave dhe kalave të cilat tregojnë zhvillimin që ka pasur kjo zonë duke i shtuar edhe vlerat historike e kulturore të saj. Ndër kështjellat e shumta mund të përmendim kështjellën veneciane të Gumenicës e cila ndodhet mes një kodre të gjelbëruar, kështjellën mesjetare të Ajdonatit në Paramithi e cila sot fatkeqësisht është e dëmtuar dhe ngjason për nga pozicionimi me kalanë e Gjirokastrës, kështjellën Veneciane të Pargës e cila u ndërtua rreth vitit 1401 kur ky qytet ra nën sundimin e Venedikut dhe shtrihet sipër një shkëmbi të thepisur buzë detit Jon që ngjason me kalanë e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo.

Mbi një kodër të rrumbullakët të rrethuar nga lumi i Artës, është ndërtuar kështjella e Artës. Në Margëllëc ndodhen dy kala të ndërtuara në kohën e Perandorisë Osmane. Rrënojat e një kështjelle veneciane ndodhen në afërsi të Volës me emrin Kalaja e Nisisë dhe në zonën malore të Sulit ndodhen rrënojat e Kështjellës së Ali Pashë Tepelenës. Këto objekte dhe monumente kulturore na bëjnë të kuptojmë sesa e pasur dhe sesa e rëndësishme ka qenë krahina e Çamërisë për kombin tonë. Gjurmët e një civilizimi mijëra vjeçar gjenden në ato treva, të cilat janë të një rëndësie parësore për të rritur vlerat dhe larminë e kulturës tonë.

Qeveria shqiptare ka si detyrë përpara shtetasve të saj që të përkujdeset për çdo objekt i cili mbart vlera që ngrejnë lart emrin e kombit tonë. Duke u nisur nga këto të dhëna, Rezoluta për Zgjidhjen e Çështjes Çame është një e drejtë e kombit shqiptar që nuk mund të presi më. Sot, në një kohë kur shteti shqiptar festoi 100-vjetorin e Pavarësisë dhe kur Kosova festoi 5-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur koha që t’i jepet zgjidhje edhe një krahine tjetër shqiptare. Dhe fillimi i kësaj zgjidhje është padyshim miratimi i Rezolutës Çame në Parlamentin shqiptar.

Etiketat: , , ,

Shkruaj një koment