E përditësuar|e Premte, Korrik 25, 2014

PS: Në Shqipëri, fëmijët punojnë dhe trajtohen si skllevër 

eglantina gjermeniPartia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha ka dështuar me politikat sociale. Sipas deputetes Eglantina Gjermeni, qeveria e Berishës ka braktisur fëmijët dhe shtresat në nevojë.

“Berisha dështoi me politikat sociale për familjen dhe fëmijët, sepse dështoi me punësimin, dështoi me luftën kundër varfërisë, dështoi me politikat në mbrojtje të fëmijëve, sepse sot fëmijët shqiptarë  janë më të varfër, më të pambrojtur, më të  dhunuar.

Një në katër fëmijë në Shqipëri është i varfër. Një në tre fëmijë është aktualisht në nevojë, por vetëm një e treta e tyre përfitojnë shërbime përkujdesjeje. Në familjet që janë në varfëri dhe trajtohen me ndihmë ekonomike, jetojnë rreth 160 mijë fëmijë. Ndërkohë që 25 % e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri, çka do të thotë që ata janë të paushqyer, janë shëndetligë, nuk e kanë luksin për jetë normale fëminore, dhe s’kanë akses në arsim e shërbime.

54,3% e fëmijëve të varfër në grupmoshën nga 6-18 vjeç nuk e ndjekin shkollën, sepse nuk përballojnë dot shpenzimet, kjo nuk është një akuzë për qeverisjen që vjen nga opozita, por nga studimi i UNICEF.

Pjesa më e madhe e tyre nuk janë të regjistruar në gjendjen civile, çka do të thotë që ata nuk arsimohen e nuk përfitojnë nga asnjë shërbim e asnjë skeme ndihme”, tha Gjermeni.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, Gjermeni është shprehur se 54 mijë fëmijë punonjnë në kushte çnjerëzore. Shembulli më mizor, sipas saj, janë fëmijët që punonin në Gërdec.

“Instituti i Statistikës, INSTAT, raporton se në Shqipërinë e sotme  54 mijë fëmijë të moshës 5-17 vjeç,  pra 7.7 për qind e fëmijëve shqiptarë, janë fëmijë punëtorë.

Këta fëmijë janë të punësuar në miniera, në ndërtim, punojnë në kushte çnjerëzore dhe për pak qindarka, me të cilat u duhet të përballojnë jetesën apo u duhet të kontribuojnë në buxhetet e urisë të familjeve të rrënuara në këto 8 vite.

Këta fëmijë janë të braktisur, rrezikojnë jetën ditën për diell, rrezikojnë shëndetin, dëmtohen, sëmuren dhe sikur të ishin skllevër shfrytëzohen në indiferencën dhe heshtjen absolute të shtetit të tyre.

Pavarësisht, se në Shqipëri puna e fëmijëve është  ndaluar me ligj, fëmijët në Shqipërinë e Sali Berishës përbëjnë 28.5% të kontingjentit të punëtorëve të mitur.

Historia e shfrytëzimit skllavërues të punës së fëmijëve është bërë tashmë fenomen tek ne, edhe akoma më keq në sipërmarrje të mbikëqyrura nga shteti si në Gërdec ku katastrofa i kaloi kufijtë e dhimbjes”, tha deputetja socialiste.

Ajo premtoi se PS kur të vijë në pushtet do të ketë një tjetër trajtim për fëmijët dhe shtresat në nevojë.

“Zgjedhja jonë është ofrimi i shërbimeve të parandalimit, ndërhyrjes dhe të integrimit për të gjithë fëmijët me probleme sociale, në nevojë e në rrezik, veçanërisht për jetimët, fëmijët me një prind, fëmijët e ngujuar, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, fëmijët Romë dhe egjiptianë, fëmijët e emigrantëve dhe fëmijët e margjinalizuar për arsye ekonomike dhe sociale, mbi të cilët rëndojnë sot shumë probleme sociale që frenojnë ose pengojnë zhvillimin e tyre.

Ne do të dyfishojmë investimet për shërbimet cilësore arsimore, shëndetësore, sociale, kulturore, argëtuese, sportive, të përballueshme e të përdorshme nga të gjithë fëmijët, pavarësisht të ardhurave dhe aftësive paguese të familjeve.

Brenda mandatit të parë qeverisës, me fondet e buxhetit të shtetit dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe sektorin privat, ne do të organizojmë shërbimet e parandalimit, ndërhyrjes dhe riintegrimit të fëmijëve në familjet e komunitet”, përfundoi ajo.

Etiketat: , ,

Shkruaj një koment