E përditësuar|e Martë, Shtator 30, 2014

Në të dy gadishujt, e njëjta popullsi iliro-pellazge 

laffkdgjsShkencëtarët e studiuesit duhet të hulumtojnë dhe të tregojnë se sa të ngjashëm, të njëjtë, të mos themi identikë, janë qytetërimi ilir në Ballkan me atë në Anadoll, si në Trojë e në mbarë bregdetin egjean e në thellësi të tokës anatolike…

Dr.Laurant Bica

Stambolli, me mbi 3 milion shqiptarë

Mbi bazën e burimeve direkte, apo të dhënave indirekte që disponojmë, mendohet se vetëm qyteti i Stambollit ka mbi 3 milion shqiptarë. Është qyteti me më shumë shqiptarë në Ballkan, për t’u ndjekur nga qytete-metropole si Tirana dhe Shkupi dhe, tash së voni, edhe Prishtina.

Për ngjashmërinë, apo më mirë njëjtësinë e shqiptarit, apo njeriut të Ballkanit me shqiptarin, apo njeriun e Anadollit të tjetërsuar në gjuhë etj., flet e do të flasë më mirë në të ardhmen antropologjia, etnografia, folkloristika e shkenca të tjera. Mjafton të krahasosh instrumentet muzikorë si çiftelia, gërneta e të tjera apo veshjet e një popullate të Detit të Zi, siç janë llazët, këngët, vallet, lodrat e tyre të ndryshme e të bindesh se sado larg të jenë këto vise gjeografikisht nga njeri-tjetri, prapë janë afër, shumë afër në doke, në zakone, në tradita.

Me sy të lirë, vetëm duke parë muzeun e qytetërimeve anatoliane në Stamboll, muzeun e pasur arkeologjik të Bursës, muzeun arkeologjik të Antalias, muzeun e arkeologjisë së nënujit në Bodrum në brigjet e Egjeut etj., dhe t’i krahasosh me muzeun arkeologjik të Tiranës, s’e ke të vështirë të realizosh se në një kuptim, në të dy gadishujt ka jetuar e njëjta popullsi iliro-pellazge.

Kur mësonte gjuhën turke në Stamboll, autori i këtyre rrjeshtave në tekstin e mësimit shihte një fotografi me varre monumentale në zonën e Izmirit, në atë që njihet si “rrethi mavi (blu)” dhe që kap më së shumti brigjet e Egje-Mesdheut deri në Antalia. Nuk ishte e vështirë të konstatoje se ato ngjisnin si dy pika uji me varret monumentale të Selcës së Poshtme në Pogradec, ku ishin varrosur mbretër ilirë. Del nevoja e studimeve krahasimtare në këtë fushë të djerrë si arkeologjia që do të na sjellë në zbulime “perla” për popullatën ilire të Anatolisë, që gati nuk është studiuar fare.

Deri tani as që bëhet fjalë për studime krahasuese. Del gjithashtu nevoja e thellimit të bashkëpunimit të Instituteve apo Muzeve homologe, përshembull të arkeologjisë. Sikur vetëm vizitat reciproke nga profesionistët në to, pa folur për sesione, simpoziume apo kongrese shkencore të përbashkëta shqiptaro-turke që mund të bëhen edhe në këtë fushë apo sfera të tjera si etnografia, folkloristika etj. etj.

Brezat e rinj të sotëm e të nesërm të shkencëtarëve e studiuesve duhet të hulumtojnë dhe të tregojnë se sa të ngjashëm, të njëjtë, të mos themi identikë, janë qytetërimi ilir në Ballkan me atë në Anadoll, si në Trojë e në mbarë bregdetin egjean e në thellësi të tokës anatolike…

 Antropologjia s’të lë të gabosh

Më kujtohet se gjatë kohës që kam qenë në Republikën e Turqisë, sa herë jepej moti në lajmet e mbrëmjes në televizor, ajo ndahej në 8 rajone të mëdha. Mbi bazën e tyre po paraqesim me një vështrim telegrafik shpërndarjen e popullatës shqiptare në të.

Së pari: Rajoni i Stambollit dhe Thrakës Lindore ose thjesht Thrakia Turke me qytete të tilla si Edrene, Tekirdag, Gelibollu, Kerklareli etj.  Stambolli dhe Trakia, siç i thonë turqit, përfshijnë një territor prej 24.000 km2, gati sa Shqipëria. Në shekuj, po sidomos në shekullin e 20-të, kemi dyndje të shqiptarëve drejt Stambollit dhe pjesës evropiane të Turqisë. Mjafton të shohësh njerëzit e këtyre anëve dhe bindesh për origjinën e tyre. Edhe pa i pyetur, antropologjia s’të lë të gabosh kurrsesi.

Por janë edhe shqiptarët vendas të krishterë “rumë“, po dhe muslimanë të konvertuar në shekuj deri në ditët tona. Stambolli numëron me miliona shqiptarë të shpërndarë në lagje si Aksaraj, Ejup, Alibeqoj, Beshiktash, Arnautqoj, Kadiqoj, Feriqoj, Bajrampasha, Fendekzade, Topkapi, Fatih, Kuçykçekmexhe etj.etj.

Dikur shqiptarët kanë qenë të vendosur me mahalla sipas krahinave në lagjet e ndryshme të Stambollit, bile kjo deri në vitin 1990, përshembull Alibeqoj kishte shqiptarë të Kolonjës dhe të Gostivarit me shumicë, që jetonin në masa kompakte në shtëpitë e tyre me bahçe dhe familjet ishin të një ane, madje në një pjesë të tyre ishin edhe farefis apo dhe ishin bërë të tillë, duke jetuar në krah të njëri-tjetrit.

Nuk përziheshin me të tjerët e ruanin me fanatizëm gjuhën, madje në dialektin e veçantë, siç e kishin folur në Shqipëri. Bile ndihej moszhvillimi i mëtejshëm i saj dhe dukeshin trajtat konservatore. I ruanin siç u bartën nga Kolonja dhe n’atë gjendje i flisnin sot. Vetë i kam dëgjuar e komunikuar me ta. Ruanin bile këngë popullore, vjersha e folklor të vendlindjes. Mund të kishin lindur edhe në Turqi, por ruanin një mall të patreguar për fshatin, qytetin, apo krahinën prej së cilës kishin ardhur.

Të prekte kjo dashuri e mall i tyre i patreguar për t’u kthyer qoftë edhe njëherë në vendlindje. Shpesh të rinjtë bartnin si të regjistruar në një shirit magnetofoni kujtimet e prindërve të tyre për vendet nga ishin  shpërngulur deri dhe për gurët e drurët e vendlindjes… Bajrampasha, rajoni më shqiptar i Stambollit, ka kryesisht shqiptarë të Maqedonisë, sidomos nga rajoni e qyteti i Manastirit, Perlepi e fshatrat shqiptare rreth tij, kurse Fëndekzade ka më shumë shqiptarë të Shkupit, bile edhe shoqata e tyre e ka qendrën këtu…

S’ka rajon të Stambollit që të mos ketë shqiptarë. Janë nga Kosova, Maqedonia po dhe nga Novi Pazari (Tregu i Ri)  mbi Mitrovicën e Kosovës si dhe nga jugu i Shqipërisë, të hershëm e të sotëm. Pas viteve ‘90 erdhi një valë e re emigracioni nga Shqipëria. Shqiptarët myslimanë në Traki, jo vetëm që i ke me shumicë në qytetet si në Edrene apo Tekirdag po edhe nëpër fshatra. Në shumicë janë të ardhur nga Kosova po edhe Shkupi.

Komunitete shqiptarësh ortodoksë

Sami Frashëri na bën me dije për ngulime të tjera shqiptare në Thrakë dhe në brigjet e Detit Marmara si dhe në ishujt afër tyre. Këto komunitete shqiptarësh ortodoksë u dëbuan në Greqi pas Luftës së Parë Botërore, në periudhën e shkëmbimit të popullsisë midis dy vendeve (turqisht “mubadele” dhe greqisht “andallaia”).

Nuk është fjala për “Adalar”(Ishujt e Princave) që janë në Grykën e Bosforit në Stamboll, përballë Kadiqojit, gjithsej 9 ishuj të banuar e të pabanuar, me popullsi ortodokse, që s’u përfshinë në marrëveshjen e shkëmbimit që u nënshkrua në Lozanë të Zvicrës. Popullata ortodokse e Stambollit nuk u prek nga ky traktat ogurzi për shqiptarët. Sasia më e madhe e shqiptarëve të Turqisë është grumbulluar në pjesën evropiane të saj.

Lagjia e shqiptarëve” në Bursë

Së dyti: Rajoni i Bursës me sipërfaqe 11.087 km2 dhe popullsi prej 2.600.555, pra gati sa Kosova e sotme. Bursa është qyteti i katërt më i madh i Turqisë. Në këtë rajon përfshihen edhe qytetet si Adapazar, Kutahja (emri i vjetër Qytahja) Bandërmaja, Ballëkesir, Çanakala e deri në Ajvallëk, një qendër e vogël e banuar buzë Detit Egje. Brenda qytetit Bursa (thirret edhe Brusa) ka disa mëhalla si “Zafer” etj. plot e përplot me shqiptarë, ku shqipja gjallon deri në ditët tona. Kjo lagje njihet si lagje e shqiptarëve.

Ata kanë shoqatat e tyre kulturore – artistike dhe janë të mirëorganizuar. Ka shqiptarë të hershëm si ata të Nishit që i gjen në qytete si Adapazari, Kutahja etj. Shqiptarë ka dhe Bandermaja, Ballëkesiri, si dhe rajonet bregdetare, por me klimë relativisht të ftohtë si Çanakala apo diçka më ndryshe Ajvallëk, Akçaj etj. Ka dhe ishuj si Bozxha Ada apo ndonjë tjetër në krah të saj të banuar nga të krishterë shqiptarë të vendit, të ashtuquajtur rumë.Prej këtyre ka dalë dhe patriarku ortodoks aktual i Stambollit, Bartolemeo, që e di shqipen si gjuhë amtare që e ka… Banorët e ardhur janë kryesisht nga Kosova e më pak nga Maqedonia.

Rajoni i Izmirit i mbushur plot e përplot me shqiptarë të Çamërisë

Së treti është Rajoni i Izmirit me qytete si Manisa, Akhisar, Ajdin, Denizli, Fethije, Marmaris, Bodrum e deri në Antalja e Alanja, duke përfshirë dhe Ispartën dhe Afjonin etj. Ky rajon është i mbushur plot e përplot me shqiptarë të Çamërisë që erdhën pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës në vitet 1923-25. Qyteti i Izmirit lagjen e vet më të madhe e më të rëndësishme, lagjen aristokrate të vet, Karshejaka, në 90% të saj i ka me shqiptarë të Çamërisë apo dhe Janinës.

Po nuk mungojnë dhe shqiptarët e Kosovës psh. nga Prishtina, të Shqipërisë e të Maqedonisë. Në lagjet e Izmirit apo Smirnës së dikurshme, është folur shqip nga rumët shqiptarë të këtij qyteti dhe pastaj pas dëbimit me marrëveshjen e Lozanës të shqiptarëve ortodoksë, këta u zëvendësuan me shqiptarë muslimanë të Çamërisë, me shqiptarë fisnikë muslimanë arvanitë të krahinave të Manit e të Lalës në Peloponez (More). Po ashtu Izmiri pas 1924-1925 u mbush me kosovarë të ndjekur nga regjimi serbomadh i kralit Aleksandër Karagjorgjeviç.

Pra shqipja është dëgjuar deri në fund të shekullit XX në lagjet e Izmirit e ku më shumë e ku më pak, ndonëse më rrallë, sot vetëm në mjedise familjare. Çamët jetojnë të tubuar në qytete të tilla, veç Izmirit, si Foça, Menemen, Manisa, Soqe, Selçuk, Ajdin, Denizli e më pak në Bodrum, Fethije, Marmaris apo Muglla. Është për t’u përmendur një fshat i madh  apo qytet i vogël, jo larg nga Izmiri, me emrin Jeniqoj me shqiptarë të Kosovës që flasin edhe sot e kësaj dite shqip e vetëm shqip.

Fshatra të tëra që deri vonë kanë folur shqip

Njeriu mendon se është në Kosovë apo Shqipëri. Shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë ka në qendrat e banuara në veri e në verilindje të Izmirit, siç është Aksaraj e të tjerë. Ka dhe rajone që janë të përziera me shqiptarë të ndryshëm, të Kosovës e të Çamërisë, siç është qyteti Akhisar e qendra të tjera më pak të njohura.

Janë fshatra të tëra që deri vonë kanë folur shqip, por proceset urbanizuese kanë bërë punën e vet. Antalja, Alanja dhe qytete të vogla në krah të tyre, buzë detit si Qemer, Manavgat, Side etj. kanë shqiptarë të ardhur e të vendosur në to në kohë të ndryshme. Shifra për numrin e tyre s’ka, por kur pyet shqiptarët e atyshëm të thonë se janë shumë, “pa hesap”!

Së katërti: kemi Rajonin e Anadollit Qendror apo të Ankarasë, ndryshe mund ta quaja edhe të kryeqytetit turk. Në të përfshihen veç kryeqendrës së Turqisë po edhe të Anadollit Qendror e përgjithësisht të Ankarasë dhe qytete të tilla si Jozgat, Konja, Kajseri dhe Nigde, si dhe qytetin e Haxhi Bektashit si qendër e bektashizmit. Ankaraja si çdo kryeqytet ka mbledhur edhe shqiptarë nga të katër anët e Turqisë dhe numri i tyre që banojnë në të është i konsiderueshëm.

Etiketat: , , , ,

Shkruaj një koment