E përditësuar|e Shtunë, Gusht 2, 2014

Mësuesit e rinj, 40% nuk kalojnë provimin e shtetit 

timthumbAgjencia Kombëtare e Provimeve publikon rezultatet për arsimtarët. Drejtori: Gjuhë-Letërsia me pikë më të larta. Kreu i AKP, Harizaj: Kalueshmëria për arsimtarët është e mirë.

Rreth 40% e mësuesve të rinj kanë rezultuar mbetës në Provimin e Shteti. Të dhënat vijnë nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Pavarësisht numrit të arsimtarëve që nuk kanë marrë dot as pikët më minimale, kalueshmëria konsiderohet e mirë. Sipas kreut të AKP-së, Alfons Harizaj, dega e Mësuesisë nuk qëndron në listën e degëve elitare. “Kalueshmëria është diku te 60 për qind, çka do të thotë se këta mësues kanë fituar të drejtën për të ushtruar profesionin”, tha Harizaj.

Sipas tij, grupi i kandidatëve për mësues në profilin Gjuhë-Letërsi ka qenë më i madhi në numër, dhe ata kanë arritur dhe kalueshmërinë më të lartë. “Ne e konsiderojmë arritje të mirë në konceptin e vlerësimit dhe të arritjeve në raport me të gjitha profesionet”, tha Harizaj.

Sipas tij, në profilin e Gjuhë-Letërsisë kandidatët kanë arritur të marrin më shumë pikë dhe ta kalojnë më me lehtësi testin, çka dëshmon, sipas Harizajt, se në të ardhmen do të kemi më shumë mësues Gjuhë-Letërsie. Provimi i Shtetit do të nisë sërish në janar të vitit 2013. Stomatologjia dhe mjekësia e përgjithshme do të presin kandidatët në fillim të vitit, ndërsa në prill do të kenë sesionin e dytë.

Provimi i Shtetit është kusht ligjor për të të sapodiplomuarit të të paktën 15 profesioneve. Vetëm pasi të marrin rezultate kaluese në këtë provim, do të mund ta ushtrojnë profesionin. Kandidatët kanë të drejtë ta japin provimin deri në pesë herë. Ky provim është konsideruar nga krerët e arsimit si një filtër për të rritur cilësinë në tregun e punës. Vlerësimi bëhet me pikë dhe rezultatet shpallen menjëherë pas dhënies së provimit në mënyrë elektronike./panorama

Etiketat:

Shkruaj një koment