E përditësuar|e Martë, Shtator 2, 2014

Maturantët, zbardhet formulari A2, ja si duhet plotësuar në internet 

Maturantet-listatMinistria e Arsimit ka publikuar dje udhëzimin e plotë me të gjitha detajet për plotësimin e formularit A2, për maturantët që duan të ndjekin studimet e larta në universitet. Ashtu si dhe vitin e kaluar, ky formular do të plotësohet online (në internet) sipas disa hapave të përcaktuar më parë nga MASH dhe AKP.

Plotësimi online
Për të fituar të drejtën e studimit në universitet, çdo maturant që kërkon të vazhdojë studimet e larta, duhet të plotësojë Formularin A2, online në çdo mjedis ku ka akses interneti në datat e përcaktuara në kalendar. Para plotësimit të tij online secili maturant/kandidat duhet të ketë kryer pagesën për aplikimin me formularin A2 në zyrat e Postës Shqiptare apo në secilën bankë të nivelit të dytë, dhe të ketë dorëzuar në shkollën e tij mandat pagesën. Më pas maturanti  mund të aplikojë nga çdo mjedis ku ka akses interneti, shkollë, zyrë, shtëpi, kafe internet,
etj. Për të hyrë në portalin e Maturës Shtetërore adresa që duhet përdorur është si më poshtë: matura.akp.gov.al. Fillimisht na shfaqet faqja kryesore e portalit, ku maturanti duhet të klikojë mbi butonin apliko. Pas këtij veprimi shfaqet një tjetër faqe me një tabelë ku kërkohen të dhënat personale të maturantit, i cili duhet ti plotësojë ato një e nga një, por me shumë kujdes për të mos bërë gabime. Pasi të siguroheni që informacioni që keni hedhur online është i saktë klikoni te butoni; Identifikohu. Nëse të dhënat tuaja nuk janë të sakta, ju do të informoheni nga një tabelë. Në rast se i keni hedhur saktë të dhënat atëherë do të vazhdoni duke klikuar të butoni identifikohu, ku më pas do t’ju hapet një faqe tjetër, me të gjitha të dhënat tuaja të maturës: pikët e marra në provime dhe notën mesatare.
Të dhënat online
Në pjesën e sipërme maturantit i shfaqen të gjitha gjeneralitetet, pikët/nota mesatare e shkollës së mesme si dhe notat e marra gjatë provimeve të Maturës Shtetërore, të
cilat duhet t’i kontrollojë me kujdes, dhe të mbajë shënime nëse konstaton pasaktësi në të dhënat e tij dhe të vazhdojë aplikimin. Çdo maturanti, pas daljes së Librit të Transparencës, i vihet në dispozicion një formular i korrigjimit të pasaktësive në të cilin ai evidenton gabimet e konstatuara në të dhënat e tij. Poshtë të dhënave personale të maturantit është një Drop Down List e cila i jep mundësinë atij që të përzgjedhë njërin nga programet e studimit që ofrohen për vitin akademik të ardhshëm 2013-2014 nga IALP-të. Pas përzgjedhjes, më poshtë, shfaqen pikët që maturanti grumbullon në këtë program studimi dhe pikët e fituesit të fundit të fazës së dytë në vitin akademik 2012 – 2013. Duke i krahasuar pikët e grumbulluara me ato të vitit të kaluar, maturanti mund të marrë vendim që ta përzgjedhë ose jo atë program studimi. Për ta përzgjedhur një program studimi ai duhet të klikojë mbi butonin Përzgjidhe Programin.
Preferencat
Sistemi informatik nuk të lejon që të përzgjidhem më shumë se 10 preferenca, por lejon që të fshihet ndonjëra prej tyre si dhe të rirenditen ato. Nëse duhet të heqim një  program studimi mjafton të klikojmë tek butoni “Hiqe” ndërsa për t’i rirenditur në kutizat anësore duhet të shtypim renditjen e re te propozuar dhe më pas klikojmë mbi
butonin poshtë “Ruaj Renditjen” (Kujdes! Gjatë vendosjes se renditjes se re nuk duhet te kemi përsëritje numrash). “Theksojmë edhe njëherë se për suksesin e aplikimit me formularin A2 janë të rëndësishme jo vetëm llojet e programeve të studimit të përzgjedhura por dhe
renditja e tyre,” thuhet në udhëzim.
Printimi i formularit
Pas përzgjedhjes të programeve të studimit të preferuara maturanti/kandidati klikon mbi butonin “Dërgoje Formularin”. Pasi të keni klikuar te ky buton, tek adresa email-it të vendosur në fushën përkatëse do t’ju dërgohet një mesazh i cili jep informacion për plotësimin e formularit A2 nga ana juaj. Pas këtij hapi shfaqet një dritare tjetër dialoguese e cila i jep mundësinë maturantit të bëjë konvertimin e formularit të tij A2 në formatin PDF. Për konvertimin dhe printimin e Formularit A2 maturanti duhet të lexojë udhëzimet në fillim të dritares  dialoguese. Formulari A2 mund të printohet nga maturanti/kandidati nëse dëshiron të ketë një kopje në letër të preferencave të përzgjedhura. Vihet në dukje se printimi i formularit nga maturanti/kandidati nuk është i detyrueshëm. Për shtypjen në letër të formularit A2 ndiqen hapat e mëposhtme: “Fillimisht eksportoni formularin A2 në formatin PDF: Përzgjidhni opsionin Open with dhe më pas klikoni mbi butonin OK. Pasi hapet skedari maturanti mund ta printojë, nëse dëshiron, formularin e përzgjedhjeve të
kryera nga vetë ai.  Pasi maturanti ka printuar ose jo (sipas dëshirës) formularin e preferencave të tij, ai
largohet nga Portali i Maturës Shtetërore duke klikuar mbi butonin në pjesën e sipërme djathtas të dritares. Të gjitha këto hapa të plotësimit të formularit A2, maturantët mund ti lexojnë më në detaje tek faqja online e mash.gov.al ose të akp.gov.al. Sigurisht që ata duhet të kërkojnë ndihmë tek mësuesit e shkollave të mesme ku kanë përfunduar studimet, në rast se kanë paqartësi në plotësimin e këtij formulari, që është bazë për studimet në universitet.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Udhëzimi, si do përcaktohen fituesit

Përcaktimi i fituesve ndërmjet maturantëve kandidatë për studime universitare të ciklit të parë, do të bëhet sipas parimit meritë–preferencë, pra sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje) dhe për programe studimi të caktuara, nga rezultatet e arritura në konkurs. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet jo më shumë se 10 preferencave të zgjedhura prej tyre. Maturanti mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij, por sistemi e shpall atë fitues në preferencën më të lartë (të sipërme) të shprehur prej tij. Kjo është arsyeja që në plotësimin e formularit A2 është shumë e rëndësishme jo vetëm përzgjedhja e programeve të studimit (preferencat) por dhe renditja e tyre. Të gjitha programet e studimit të Universitetit të Arteve, Arkitekturës dhe Sporteve, programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, si programet e
studimit të Akademisë së Arteve Shkodër, u nënshtrohen konkurseve të pranimit, të organizuar nga vetë universitetet. Për këto programe studimi në procesin e llogaritjes së pikëve të maturantit kandidat merren parasysh dhe rezultatet e konkurseve të pranimit.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Formulari A3, kush ka të drejtë ta plotësojë

Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, do të bëhet nëpërmjet parimit meritë-preferencë dhe kryhet në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). Kuotat, që mbeten të parealizuara për çdo program studimi pas aplikimit me formularin A2, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Formulari A3 përfshin programet e studimit të ofruara nga institucionet publike të  arsimit të lartë me kuotat respektive të shpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kanë të  drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët:
a) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i
parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2;
b) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin
e vjeshtës 2013;
c) kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë
ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore;
ç) kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në
provimet me zgjedhje. Kuotat, që mbeten të parealizuara edhe pas regjistrimit të fituesve të shpallur nga
aplikimi në raundin e fundit, nuk rishpallen.

Etiketat: , ,

Një koment në Maturantët, zbardhet formulari A2, ja si duhet plotësuar në internet

  1. sidorela kola

    a humbet dega qe ke fitu me A2 ne qoftese merr persiper plotesimin e formularit A3

     

Shkruaj një koment