E përditësuar|e Shtunë, Gusht 30, 2014

Artan Fuga në Lajpcig tregon si shkruajti “Rënien e qytetin” 

artan fugaNë stendën e Rrjetit Traduki, janë zhvilluar dje një pjesë e aktiviteteve të librit shqip që po prezantohet në Lajpcig të Gjermanisë. Artan Fuga ka qenë pjesë e panelit të diskutimit me temë “Si të shkruhet në ditët e sotme”.

Një diskutim dhe shkëmbim idesh e përvojash së bashku me studiuesin e shkrimtarin maqedonas Ermis Lafazanovski dhe atë nga Mali i Zi, Ognjen Spahic. Diskutimi nis me moderimin e zotit Hansjorg Brey dhe pastaj lexohen në gjermanisht disa faqe nga libri i zotit Fuga, “Rënia e Qytetit”. “Leximi i Qytetit është një lexim kolektiv pavarësisht se autori është individual.

Unë nisem nga ideja e një universi me katër koncepte të ndara në dy çifte, qytet-qytetar, dhe nga ana tjetër qytetërim-qytetari, të cilët në gjuhën shqipe kanë të njëjtën rrënjë, ndërsa në gjuhët me prejardhje latine nuk kanë rrënjë të përbashkët me njëra-tjetrën por vetëm tingëllim të përbashkët, ‘city’, ‘citizen’, dhe ‘civic’, ‘civilisation’. “ – tha autori Artan Fuga.

Filozofikisht, shpjegon ai, niset nga metoda e Martin Heidegerit, i cili e gjen kuptimin e objektit nga etimologjia e fjalës që e përcakton objektin. Në qoftë se në gjuhët latino-perëndimore qyteti dhe qytetërimi nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, në shqip janë të identifikuar. “Nisur nga kjo, supozimi është që kur shoqëria shqiptare çlirohet, individi kërkon ta gjejë qytetërimin te qyteti, e prej këtej emigrimi i brendshëm, mbipopullimi i disa qyteteve, kaosi demografik dhe urban”, – tha prof. Fuga gjatë këtij diskutimi.

Panairi i Librit në Lajpcig ka nisur dhe bashkë me të edhe ngjarjet të cilat kanë marrë vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Autorët e rinj, çdo vit e më shumë janë duke e gjetur veten në letërsinë kontemporane në Gjermani. Për shembull, Marjana Gaponenko dhe Lisa Kranzler janë dy prej tyre. Gaponenko e cila sapo ka marrë çmimin “Adelber von Chamisso” nga “Robert Bosch Stiftung” për librin e saj “Wer ist Martha” që ndahet për autorët që shkruajnë në gjermanisht, por që vijnë nga vendet e tjera, ka bindjen se

Panairi i Librit në Lajpcig është një ngjarje e cila ofron mundësi për secilin stil të shkrimtarit. Për stilin e saj të veçantë njihet edhe shkrimtarja e re Lisa Kranzler, e cila me librin e saj “Nachhinein” tregon historinë e dy vajzave që jetojnë në fqinjësi. Libri i saj është i nominuar në kategorinë për romanin më të mirë në “Leipzig Book Fair Prize”. Panairi i Lajpcigut është një mundësi e mirë për shkrimtarët të cilët nuk shkruajnë në formën tradicionale. Ky është një vend i mbushur përplot me njerëz të rinj që e kuptojnë se çfarë shkruhet sot”, -ka thënë Kranzler.

 Por në Lajpcig ka edhe shkrimtarë tradicionalë. Ish-presidenti sovjetik, Mikhail Gorbachev, do të prezantojë librin e tij të fundit para publikut gjerman të titulluar “Alone with myself” që do të dalë në tregun gjerman, tek pas përfundimit të panairit. Dhe bashkë me këta emra në Lajpcig përfaqësohet edhe letërsia nga Ballkani.

Tre autorë nga Kosova, Jeton Neziraj, Beqë Cufaj dhe Blerina Rogova Gaxha, dhe pesë nga Shqipëria, Artan Fuga, Visar Zhiti, Lindita Arapi dhe Alma Papamihali, po marrin pjesë në këtë panair. Pas Fugës në vazhdim do të kenë prezantimet e veta në dy ditët e fundit të panairit edhe autorët e tjerë shqiptarë. Panairi mbyllet më 17 mars.

Në këtë edicion të Panairit të Librit në Lajpcig marrin pjesë 2.150 botues – ekspozues. Në program parashikohen mbi 2.800 veprimtari promovuese, si takime letrare, forume, prezantime dhe panele profesionale, ku marrin pjesë 38 vende.

Etiketat: , , , ,

Shkruaj një koment