E përditësuar|e Hënë, Shtator 22, 2014

AMF: Kemi mekanizma që mbrojnë konsumatorin 

mbrojtja-e-konsumatorit-300x219Në muajin janar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duke parë se tregu i sigurimeve po përballej me probleme si për tarifat që po zbatoheshin, ashtu edhe në drejtim të pagesës së dëmshpërblimeve, mblodhi në një takim drejtues të shoqërive të sigurimeve, duke iu kërkuar që të reflektohej dhe të ruheshin detyrimet ligjore.
Në fakt, ligjet në fuqi (të ndryshuara) përcaktojnë se tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik është i liberalizuar dhe përcaktimi i primit të shitjes është detyrë e çdo shoqërie sigurimi. Por, sipas AMF-së, në këto kushte, përpjekjet e shoqërive për të zbatuar tarifa në nivele të tilla që orientohen kryesisht drejt ruajtjes së pozicionit të tyre në treg, janë pasqyruar në çmime më të ulëta sesa primi i riskut. Një qasje e tillë, sipas AMF-së, mbështetet në objektiva afatshkurtër në administrimin e këtij produkti dhe nëse nuk orientohet nga objektivat afatgjatë, mund të sjellë efekte negative në qëndrueshmërinë financiare të shoqërive.
E ndodhur në këto kushte, AMF propozoi marrjen e një sërë masash në drejtim të përmirësimit të situatës, duke filluar me përditësimin e informacionit në sistemin online, deri në marrjen e masave sipas përcaktimeve ligjore në fuqi për rastet e shkeljeve apo të moszbatimit të dispozitave ligjore.

Së fundmi, në tregun e sigurimeve, veçanërisht në produktin TPL janë vënë re luhatje të forta të tarifave të primit, ulje-ngritje çmimesh pa një paralajmërim dhe që duket se ka sjellë çoroditje te konsumatorët, cili është opinioni i AMF-së, cilat janë shkaqet kryesore të këtyre luhatjeve?

Në bazë të ligjit nr. 10 455, datë 21.07.2011 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 076, datë 12.2.2009 ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit’”, tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik është i liberalizuar dhe përcaktimin e primit të shitjes e caktojnë vetë shoqëritë e sigurimit mbështetur në të dhënat e tyre. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare monitoron në kohë reale shitjet e produktit TPL nëpërmjet regjistrit online të shitjeve dhe është e vërtetë, që portofoli MTPL, veçanërisht MTPL e brendshme, ka qenë objekt i luhatjeve të shpeshta në çmime, që prej liberalizimit.
Patjetër, që kjo situatë nuk është aspak në favor të konsumatorit dhe vetë shoqëritë e sigurimit e kanë të qartë, që në afat të gjatë, kjo situatë nuk do të ndihmonte aspak zhvillimin e tregut apo dhe forcimin e imazhit të tij tek konsumatori. Problematika e shfaqur është tipike, po të krahasohet me vendet e tjera që kanë kaluar këtë proces. Edhe në vende të zhvilluara si Italia, tregut i janë dashur rreth 7 vite tepër të vështira për të gjetur ekuilibrin.

Cilat janë mekanizmat që AMF ka vënë në zbatim për të kontrolluar këto sjellje të tregut, që pavarësisht se është liberalizuar, ka pasur raste kur ka shitur polica edhe nën vlerën e primit të riskut?

Në një treg të lirë, rregullatorët financiarë nuk fokusohen tek mbikëqyrja e tarifave, por kjo nuk do të thotë që nuk ka mekanizma për të monitoruar shëndetin financiar të shoqërive të sigurimit. Konkretisht, AMF si çdo rregullator, fokusin kryesor e mban tek provigjonet teknike dhe mjaftueshmëria e kapitalit. A ka shoqëria e sigurimit provigjone dhe kapital të mjaftueshëm për të përmbushur premtimet dhe detyrimet ndaj policëmbajtësve? Vetëkuptohet, që zbatimi i tarifave të pamjaftueshme për një periudhë të gjatë do të ndikonte këto parametra dhe do të shkaktonte ndërhyrje nga AMF, të cilat marrin forma nga më të ndryshmet, duke filluar nga kërkesa për rritje kapitali e deri tek tërheqja e licencës për një portofol të caktuar. Këto janë vetëm disa nga mekanizmat që AMF disponon për të garantuar shëndetin financiar të operatorëve në treg, por duhen parë si mekanizma të drejtpërdrejtë që mbrojnë konsumatorin.

Kjo sjellje që rrjedh kryesisht nga “lufta” për “market share” a po rrezikon që të mos mbulohen realisht dëmet e shkaktuara? Si mund të lehtësohet pagesa e dëmeve?

Pas ndryshimeve ligjore të gushtit të vitit 2011, në drejtim të liberalizimit të regjimit të tarifave për sigurimin e detyrueshëm motorik, tendenca fillestare në tregun shqiptar të sigurimeve ka qenë drejt uljes së çmimeve. Më pas, në vazhdimësi, çmimet janë luhatur në kahe të ndryshme. Ky tarifim i ulët që shoqëritë e sigurimeve kanë realizuar jo gjithnjë është i mirë dhe dobiprurës për konsumatorin, nëse dobia shihet në mënyrë afatgjatë. Fillimisht u vërejt se tarifat e sigurimit gati u përgjysmuan, por në fakt rezultoi se kjo praktikë nuk bazohej në koston reale të blerjes së rrezikut të ndodhjes së ngjarjes, për këto produkte sigurimi, kosto kjo e cila është shumë e rëndësishme për ruajtjen e gjendjes së shëndoshë financiare të shoqërive të sigurimit. Një konsumator i kënaqur kërkon jo vetëm një çmim të ulët për momentin kur ai nënshkruan policën e sigurimit të detyrueshëm, por natyrisht edhe reflektimin e kësaj police në siguri për dëmshpërblim në rast të aksidenteve. Pikërisht duke u nisur nga ky synim për mbrojtjen e vazhdueshme të konsumatorit, AMF ka pasur në vëmendje mundësitë financiare të shoqërive për të respektuar angazhimet që ato kanë ndaj konsumatorëve dhe përgjegjësitë për të shlyer dëmet sipas kontratave të lidhura me zotëruesit e kontratave të sigurimit. AMF ka ndërhyrë vazhdimisht në bazën ligjore që rregullon trajtimin e dëmeve, duke reflektuar herë pas here dhe përmirësime, të cilat janë diktuar nga problematikat që AMF ka hasur gjatë inspektimeve të vazhdueshme pranë shoqërive të sigurimit, me tematikë trajtimin dhe pagesat e dëmeve. Në vazhdimësi, AMF do të monitorojë këto praktika dhe po të jetë e nevojshme, do të marrë masa edhe më shtrënguese, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj konsumatorit. Gjithashtu është duke u riparë dhe ligji i sigurimit të detyrueshëm në fushën e transportit, në mënyrë që praktikat në vend të unifikohen plotësisht me direktivat e BE-së.

Çfarë duhet të bëhet për të rritur numrin e mjeteve të siguruara, duke qenë se ai mbetet ende i ulët, por edhe të rritet cilësia në shërbime?

Shifrat për numrin e të pasiguruarve janë ende vlerësime dhe nuk ka një shifër zyrtare të konfirmuar. Reduktimi i numrit të të pasiguruarve është pjesë e rëndësishme e strategjisë që AMF po ndërton me asistencën e Bankës Botërore, në kuadrin e projektit të liberalizimit të TPL. Por duhet thënë se arritjet e deritanishme nuk janë të vogla. Në sajë të një bashkëpunimi të frytshëm me Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor është punuar në mënyrë intensive vitet e fundit dhe tashmë sistemet e këtyre institucioneve shkëmbejnë informacione në kohë reale, gjë që u mundëson të gjitha strukturave kompetente të identifikojnë mjetet e pasiguruara dhe të marrin masa në bazë të legjislacioneve përkatëse. Për të parë ecurinë e procesit, AMF ka kryer dhe inspektime të përbashkëta me policinë, ku nga sondazhi rezultoi se 0.65% e mjeteve të kontrolluara nuk ishin të pajisura me policë sigurimi të detyrueshëm.
(Inspektimi u krye në prill 2012, në pikat hyrëse e dalëse të qyteteve, pika të cilat ishin përcaktuar më parë, aty ku edhe fluksi i qarkullimit të mjeteve motorike është më i madh. Ku gjatë tri ditëve të inspektimit u kontrolluan 308 mjete motorike nga të cilat 33 mjete me targa të huaja).

Natyrisht është detyrë e përbashkët e gjithë organizmave shtetërorë të bëjnë përpjekje të koordinuara për të ulur gjithnjë e më tepër numrin e mjeteve motorike të pasiguruara dhe AMF është e bindur që bashkëpunimi i deritanishëm pritet të japë efekte pozitive dhe në të ardhmen./monitor/kombetare.al

Nuk gjenden etiketa per kete lajm

Shkruaj një koment